Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se koeficienti për rritjen e pagave është një i atillë për rritje të varfërisë.
Një reagim i tillë erdhi pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se vlera e koeficientit për vitin 2023 është 105. Sipas saj, koeficienti paraqet përshpejtimin e ikjes së profesionistëve nga institucionet shtetërore.
“Ky nuk është koeficient për rritjen e pagave, ky është koeficient për rritje të varfërisë, të depresionit koletiv, të pasigurisë. Ky është koeficient i ikjeve të të rinjve! Ky është konficient i përshpejtimit të ikjes së profesionistëve nga institucionet shtetërore, duke e dobësuar sistemin shtetëror të Kosovës. Kështu goditen policët, mësuesit, mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët tjerë! #GjithçkaShtrenjtë , #PagatNjëjtë”, ka shkruar deputetja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se vlera e koeficientit për vitin 2023 është arritur në 105. Sipas tij në janar të vitit 2024, i njëjti do të jetë 110.
E reja sipas tij është se për çdo vit do të vlerësohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Fondi i pagave për herët të parë po rritet me 100 milionë euro.