Australia do të ndalojë përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e qeverisë federale për shkaqe sigurie, duke iu bashkuar kështu listës së vendeve që kufizojnë përdorimin e këtij aplikacioni pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ndalimi vjen pas paralajmërimeve nga zyrtarët perëndimorë se Kina mund të përdorë këtë aplikacion për të spiunuar përdoruesit dhe për të manipuluar debatin publik. Ky aplikacion është në pronësi të ByteDance që ndodhet në Pekin.
Prokurori i Përgjithshëm i Australisë, Mark Dreyfus njoftoi të martën se ndalimi do të hyjë në fuqi “sa më shpejt të jetë e mundur”, ndërsa përjashtimet do të lejohen rast pas rasti, duke iu nënshtruar masave paraprake të sigurisë.
Australia është shteti i fundit nga partnerët e inteligjencës “Five Eyes” që vendos kufizime të tilla, pas SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Zelandës së Re./UBTNews/