Edhe 13 zyrtarë policorë i janë shtuar Njësisë për Mbrojtjen e Afërt në Policinë e Kosovës. Në ceremoninë e diplomimit të tyre pas një trajnimi 12-javor, i pranishëm ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Sot, më datën 08 dhjetor 2023, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, pas trajnimit 12 javorë nga instruktorë të Policisë së Kosovës të certifikuar ndërkombëtarisht, u mbajt ceremonia e diplomimit për 13 zyrtarët policorë të cilët përfunduan trajnimin për Njësinë e Mbrojtjes së Afërt. Të pranishëm në ketë ceremoni të diplomimit ishin drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Hoxha, z. Kastriot Jashari nga AKSP, menaxhmenti i lartë i PK-së si dhe eprorë e zyrtarë nga Departamenti i Njësive Special të PK-së”, thuhet në njoftim.
“Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua drejtori i PK-së kolonel Hoxha, i cili uroi zyrtarët për përfundimin e këtij trajnimi ndër më sfiduesit në Policinë e Kosovës si dhe në të njëjtën kohë i inkurajoi që të punojnë me profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi. Gjatë këtij kursi janë certifikuar edhe 3 instruktorë nga FSK edhe AKI –ja”, thuhet tutje.