Policisë së Kosovës, pas një procesi disa mujor të testimeve dhe trajnimeve të suksesshme, i shtohen njëqind e njëzet e shtatë (127) togerë, të cilët u graduan sot përmes një ceremonie virtuale, në të cilën morën pjesë menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës dhe vetë zyrtarët e graduar.
Ceremonia virtuale është udhëhequr nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.
“Jemi mbledhur sot në këtë takim virtual për të shënuar një ndër ditët më të rëndësishme të karrierës suaj, si dhe rritjes dhe zhvillimit të organizatës sonë. Duke ditur se sa është e rëndësishme kjo ditë për ju, familjet tuaja dhe për Policinë e Kosovës, do të doja që ky takim të zhvillohej me një ceremoni ashtu siq ju e meritoni, mirëpo rrethanat e krijuara nga pandemia ‘Covid-19’ dhe qëllimi të ruajtjes së shëndetit, na ka detyruar që kësaj radhe të takohemi në këtë formë. Ju jeni këtu në përfundim të një procesi të gjatë pas një rrugëtimi sa të vështirë aq edhe emocionues, i përcjellë me shumë sfida dhe mjaft konkurrues, që do të thotë se Policia e Kosovës ka selektuar më të suksesshmit nga radhët e saj”, thuhet të ketë thënë Mehmeti.
Në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se “Ky proces gradimi është thelbësor në zhvillimin e kuadrove të reja dhe në avancimin e vazhdueshëm të stafit policorë, me qëllim që t’u ipet mundësia që këto aftësi profesionale të shndërrohen në përformancë efektive. Ju patët kurajon dhe vendosët që të merrni mbi vete përgjegjësi shtesë, do të keni më shumë kompetenca por do të ju shtohet llogaridhënia”.