Këngëtari i njohur britanik, Ed Sheeran, ka zbuluar planet për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen e tij. 34-vjeçari, i cili ka udhëtuar për shkak të koncerteve, këtë herë ka vendosur të qëndrojë më gjatë në Amerikë si pjesë e turneut të ardhshëm.
Në një intervistë në podcast-in “2 Johnnies”, ai tha: “Po përgatitem të zhvendosem në Amerikë. Po shkoj për turne e nuk mund të vij e të shkoj vazhdimisht. Do të vendosemi atje si familje.”
Përveç karrierës, Sheeran ka bërë edhe investime në pasuri të paluajtshme në SHBA. Ai zotëron një apartament luksoz në Nju Jork me vlerë 9 milionë paund, ndërsa në Angli ka pronën e njohur “Sheeranville” në Suffolk, ku ka jetuar me bashkëshorten Cherry Seaborn dhe dy vajzat e tyre, Lyra dhe Jupiter.
Një tjetër arsye e zhvendosjes është dëshira e këngëtarit për të eksploruar muzikën country, një zhanër që e lidh ngushtë me qytetin e Nashville, të cilin e ka cilësuar shpesh si të preferuarin e tij në SHBA.
Ky vendim vjen pas disa polemikave të mëparshme që artisti ka shkaktuar me deklarata për identitetin kulturor irlandez, pavarësisht origjinës së tij angleze.