Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka ndryshuar rregullat për organizimin e Eurovisionit, duke përcaktuar se vendi fitues nuk do ta ketë më automatikisht të drejtën për të pritur edicionin e ardhshëm të konkursit.
Sipas rregullave të reja, organizimi mund t’i hiqet transmetuesit të vendit fitues nëse situata në shtet ose në rajon vlerësohet si e papërshtatshme për zhvillimin e sigurt dhe normal të Eurovisionit. Në vlerësim do të merren parasysh faktorë si konfliktet e armatosura, situatat e ndjeshme gjeopolitike apo rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në sigurinë e artistëve, delegacioneve dhe stafit.
Në raste të tilla, EBU mund t’ia besojë organizimin një transmetuesi tjetër pjesëmarrës, i cili do të marrë përsipër përgjegjësinë për zhvillimin e konkursit dhe pritjen e delegacioneve ndërkombëtare.
Një precedent i tillë tashmë ekziston. Ukraina fitoi Eurovisionin në vitin 2022, por për shkak të luftës me Rusinë dhe shqetësimeve të sigurisë, konkursi i vitit 2023 nuk mund të organizohej në Ukrainë. Edicioni u mbajt në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, nga BBC në bashkëpunim me transmetuesin ukrainas.
Rregullat e reja synojnë të krijojnë një kuadër më të qartë për raste të tilla. Edhe kur nuk ka një konflikt të drejtpërdrejtë, por ekzistojnë rrethana që mund të cenojnë sigurinë ose stabilitetin e eventit, EBU mund të kryejë vlerësime të pavarura para se të marrë vendimin.
Kështu, nga tani e tutje, fitorja në Eurovision nuk nënkupton automatikisht edhe organizimin e edicionit pasardhës. Siguria, stabiliteti dhe mundësia për zhvillimin normal të konkursit do të jenë ndër faktorët kryesorë në përcaktimin e vendit pritës./A.K/
