UBT News

E zhgënjyer nga kërkesat e paligjshme të shqiptarëve për azil, Gjermania kërcënon me rikthimin e vizave

Kërkesat e paligjshme për leje qëndrimi dhe azili nga persona me origjinë nga disa shtete të Ballkanit Perëndimor, si edhe Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, kanë hapur debatin brenda vendeve të Bashkimit Evropian për të pezulluar udhëtimet pa viza drejt BE-së.

Një dokument i publikuar nga “EUObserver”, një media me seli në Bruksel, thotë se shtete si Franca, Gjermania dhe Italia janë mes atyre që po zhgënjehen më tepër nga këto kërkesa të paligjshme.

Shqipëria e fitoi të drejtën për të lëvizur pa viza drejt vendeve të BE-së në vitin 2010, bashkë me Bosnjë-Hercegovinën. Ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kishin fituar në vitin 2009.

Sipas “EUObserver” jo të gjithë janë të lumtur me këtë vendim. Në dokument, thuhet se Gjermania ka shprehur indinjatën me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa ka listuar Shqipërinë dhe Serbinë mes 10 shteteve më problematike.

Gjermania ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të kërkesave të paligjshme për qëndrim apo azil nga Shqipëria, por edhe Moldavia dhe Ukraina.

“Në rast se nuk ka përmirësim, atëherë Komisioni Evropian duhet, në këndvështrimin tonë, të theksojë se pezullimi i regjimit të udhëtimit pa viza është një mundësi reale”, thotë në dokument delegacioni gjerman.

Pakënaqësi ndaj Shqipërisë ka shprehur edhe Franca. Holanda ishte vendi i parë që kërkoi pezullimin e lëvizjes pa viza për Shqipërinë, por kërkesa e saj në vitin 2019, u hodh poshtë nga Komisioni Evropian./A2

Exit mobile version