Një studim i ri nga Klinika Mayo ka hedhur dritë mbi sulmet në zemër tek të rriturit më të rinj, veçanërisht tek gratë, duke ofruar të dhëna që mund të ndryshojnë mënyrën se si kuptohen dhe trajtohen këto ngjarje serioze shëndetësore.
Kërkimi, i botuar në Journal of the American College of Cardiology, analizoi mbi 15 vite të dhëna nga Projekti i Epidemiologjisë së Rochester dhe zbuloi disa modele të pazakonta mbi shkaqet e infarkteve tek të rinjtë.
Rezultatet treguan se ateroskleroza, bllokimi i arterieve nga pllaka – mbetet shkaku kryesor i atakeve në zemër. Dallimi ishte i theksuar mes gjinive: tek burrat nën 65 vjeç shkaktonte 75% të rasteve, ndërsa tek gratë vetëm 47%.
Kjo tregon se më shumë se gjysma e infarkteve tek gratë vijnë nga shkaqe të tjera, më pak të njohura.
Një prej tyre është diseksioni spontan i arteries koronare, një gjendje kur krijohe çarje e papritur në një arterie koronare, duke bllokuar qarkullimin e gjakut pa praninë e pllakave. SCAD është më e shpeshtë tek gratë e reja dhe shpesh ngatërrohet me infarktet tipike.
Trajtimi me stenta ose ndërhyrje tjera sjellë më shumë rrezik sesa përfitim. Studimi theksoi se SCAD është gjashtë herë më e zakonshme tek gratë krahasuar me burrat. Një tjetër shkak janë infarktet e lidhura me stresin, të provokuara nga gjendje si anemia ose infeksionet e rënda.
Këto përbënin shkakun e dytë më të zakonshëm dhe shoqëroheshin me shkallën më të lartë të vdekshmërisë pesëvjeçare – rreth 33%.
Pra, pacientët me këto forma të infarkteve shpesh kishin prognozë më të rëndë sesa ata me sëmundje klasike të arterieve koronare.
Lajmi i mirë është se infarktet “të pashpjegueshme” rezultuan të rralla më pak se 3% e rasteve, duke nënkuptuar se në shumicën e situatave mjekët mund të identifikojnë një shkak të qartë dhe të përshtatin trajtimin.
Ky studim nënvizon rëndësinë e përcaktimit të saktë të shkakut rrënjësor të një sulmi në zemër. Vetëm duke ditur arsyen e vërtetë, mjekët mund të ofrojnë trajtime efektive dhe të shmangin ndërhyrjet që në disa raste mund të jenë të rrezikshme. /A.Z/UBT News/