Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.S., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës E.I.
Prokuroria pretendon se A.S. kishte shkuar në banesën e viktimës, ku ndodheshin edhe i dëmtuari S.I., dëshmitari I.M. dhe vajza e tij gjashtëvjeçare.
Sipas përshkrimit të aktakuzës, pasi viktima i kishte hapur derën, i pandehuri e kishte përshëndetur, përqafuar dhe uruar për festën e Kurban Bajramit. Më pas, pasi kishte hyrë në kuzhinë, dyshohet se kishte nxjerrë një thikë dhe e kishte goditur viktimën në pjesën e përparme të qafës, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Viktima nuk kishte arritur të dërgohej në spital dhe kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri më pas kishte tentuar ta sulmonte edhe S.I., duke synuar ta godiste në pjesën e fytit. I dëmtuari kishte arritur t’i shmangej goditjes, por ishte goditur në fytyrë, në pjesën e hundës dhe buzës, duke pësuar lëndime të lehta trupore.
Me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i ngarkohen dhe të dënohet sipas ligjit.
I pandehuri konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës./A.K/
