E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku është pritur nga nënkryetarët e kësaj partie, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami dhe deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.
Siç njofton LDK, gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë situatës së krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar lëndën për interpretim”, thuhet në komunikatë.
LDK në takim ka thënë se është e rëndësishme që Kushtetuesja të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional, në mënyrë që vendi të dalë sa më parë nga kriza aktuale politike dhe institucionale.
“LDK shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës në të gjitha fazat shtetformuese; dhe thekson se miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve mbeten thelbësore për zhvillimin demokratik dhe euroatlantik të vendit”, përfundon komunikata.