Kompania Meta ka njoftuar se më 10 shkurt 2026 do të hiqen përfundimisht butonat e njohur “Like” dhe “Share” nga faqet e jashtme të internetit.
Në një postim në blog, kompania thekson se administratorët e faqeve nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim shtesë për këtë ndryshim, megjithatë ata që dëshirojnë mund t’i largojnë këto shtojca edhe më herët.
Pas kësaj date, shtojcat ekzistuese do të ndalojnë së funksionuari, duke u shfaqur si elemente të padukshme me madhësi 0×0 pikselësh në praktikë, do të jenë inekzistente. Ky ndryshim shënon fundin e një epoke për Facebook dhe Meta.
Butonat “Like” dhe “Share” u prezantuan që në 2010, si mënyrë për të rritur trafikun e faqeve përmes ndarjes së përmbajtjeve në rrjetin social që dikur dominonte internetin.
Sipas Metës, këto shtojca “reflektojnë një epokë të mëparshme të zhvillimit të internetit”, dhe përdorimi i tyre është zvogëluar ndjeshëm ndërsa peizazhi digjital ka evoluar.
Kompania thekson se Facebook ka sot një rol më të vogël brenda strukturës së gjerë të Metës sesa në të kaluarën.
Po ashtu, integrimet që mbështeten ekskluzivisht në këtë rrjet social janë bërë gjithnjë e më të rralla. /A.Z/UBT News/
