UBT News

E konfirmon Lajçak, arrihet marrëveshja për targat

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi se është arritur një marrëveshje për targa mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak thotë se pas dy ditëve negociata intensive është arritur një marrëveshje për deeskalim të situatës.

“Ne kemi arritur një marrëveshje! Pas dy ditëve negociata intensive, një marrëveshje për deeskalim dhe rrugën para është arritur. Dua të falënderoj Besnik Bislimin e Petar Petkoviqin për gatishmërinë për të negociuar dhe u pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi të shtunën, më 2 tetor 2021. Në marrëveshje thuhet se njësia speciale e Kosovës bashkë me barrikadat e vendosura në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen më 2 tetor nga ora 08:00 e mëngjesit dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Dy ditë më vonë, më 4 tetor do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë./UBTNews

Exit mobile version