Kafeja është një nga pijet më të njohura në botë. Ajo përmban një stimulues shumë të njohur të quajtur kafeinë. Shumë njerëz pinë një filxhan kafeje sapo zgjohen, ndërsa të tjerë besojnë se është më mirë të presësh disa orë dhe më pas ta konsumosh.
Ky artikull shpjegon se kur është koha më e mirë për të pirë kafen që të përfitosh maksimumin prej saj e të minimizosh efektet anësore.
Shumë njerëz e pijnë kafenë pasi zgjohen, por disa ekspertë sugjerojnë që kjo mund të mos jetë koha më e mirë për ta konsumuar.
Kur zgjohemi, trupi prodhon në mënyrë natyrale një hormon të quajtur kortizol, i cili ndihmon në rritjen e vigjilencës e rregullon funksione të rëndësishme si metabolizmi dhe presioni i gjakut. Nivelet e kortizolit janë më të larta zakonisht 30–45 minuta pas zgjimit e ulen gradualisht gjatë ditës.
Disa mendojnë se pirja e kafesë gjatë kësaj periudhe mund të jetë më pak efektive, pasi trupi është natyrshëm në gjendje zgjimi, është sugjeruar se koha më e mirë për të pirë kafe është në mesditë ose vonë në mëngjes, kur niveli i kortizolit është më i ulët.
Për shumicën e njerëzve që zgjohen rreth orës 6:30 të mëngjesit, kjo kohë është ndërmjet orës 9:30 dhe 11:30. Edhe pse kjo mund të ketë një bazë, nuk ka studime që tregojnë se vonesa e pirjes së kafesë e bën atë më efektive sesa nëse pihet menjëherë pas zgjimit.
Një tjetër arsye pse është sugjeruar të shtyhet pirja e kafesë është se kafeina rrit nivelet e kortizolit. Pirja e kafesë kur kortizoli është në kulmin e tij mund të çojë në rritje edhe më të lartë. Nivelet e larta të kortizolit për periudha të gjata dëmtojnë sistemin imunitar dhe të shkaktojnë probleme shëndetësore.
Pra, nuk ka ndonjë rrezik të madh nëse preferoni ta pini kafen menjëherë pas zgjimit në vend që të prisni disa orë. Por nëse jeni të gatshëm ta ndryshoni zakonin tuaj të mëngjesit, mund të vini re se shtyrja e pirjes së kafesë për disa orë mund t’ju japë më shumë energji.