Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka kritikuar zyrtarët shëndetësorë dhe ka urdhëruar ushtrinë të ndihmojë në shpërndarjen e ilaçeve, pasi një valë e rasteve me Covid ka “kapluar” vendin.
Më shumë se një milion njerëz janë sëmurë tani nga ajo që Pheniani po e quan “ethe”, thanë media shtetërore. Rreth 50 persona kanë vdekur, por është e paqartë se sa prej atyre rasteve të dyshuara rezultuan pozitivë për Covid.
Koreja e Veriut ka kapacitet të kufizuar testimi, kështu që pak raste janë konfirmuar.
Koreja e Veriut ka të ngjarë të jetë e ndjeshme ndaj virusit për shkak të mungesës së vaksinimit dhe një sistemi të dobët të kujdesit shëndetësor. Një bllokim mbarëkombëtar është vendosur në vendin e izoluar.
Vendi njoftoi rastet e para të konfirmuara me Covid javën e kaluar – megjithëse ekspertët besojnë se virusi ka të ngjarë të qarkullojë për ca kohë.
Koreja e Veriut ndan kufijtë tokësorë me Korenë e Jugut dhe Kinën, të dyja vende këto që kanë luftuar me shpërthimet. Kina tani po përpiqet të përmbajë një valë të Omicron me bllokime në qytetet e saj më të mëdha.
Koreja e Jugut ka ofruar të dërgojë ndihmë në vendin e izoluar nëse kërkohet, duke përfshirë doza vaksinash, punonjës shëndetësorë dhe pajisje mjekësore.
Të shtunën, Kim e quajti shpërthimin e përhapur një “katastrofë të madhe”./UBTNews/