Ministria e Shëndetësisë e Vietnamit ka detektuar një variant të dyshimtë të COVID-19, që thuhet se është përzierje e dy varianteve shumë të transmetueshme të COVID-19.
“Një variant i ri i COVID-19 me karakteristika të variantit indian dhe atij britanez të COVID-19 është detektuar për herë të parë në Vietnam”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nguyen Thanh Long.
Ky shtet i Azisë Juglindore ka qenë shembull në reagimin ndaj pandemisë, megjithatë nga fundi i prillit Vietnami raportoi rritje të rasteve me COVID-19. Pothuajse gjysma e rasteve të raportuara ishin konfirmuar vetëm muajin e kaluar, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Nuk dihet nëse ky variant i dyshimtë i COVID-19 qëndron prapa rritjes së papritshme të rasteve.
“Vala e katërt e COVID-19 në Vietnam përfshinte infeksione në zona industriale, burime të shumta infeksionesh dhe prani të varianteve të ndryshme të koronavirusit. Do të përhapet shumë shpejt dhe do të jetë shumë e vështirë për t’u kontrolluar”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të shtunën se grupi i saj punues për evolucionin e virusit ishte duke punuar me zyrtarë në Vietnam për të konfirmuar variantin e ri të mundshëm të koronavirusit, pasi katër persona u konfirmuan se ishin infektuar me një variant të ri të dyshimtë.
Në shtetin me 96 milionë banorë, më pak se 30 mijë banorë janë vaksinuar. Ministria e Shëndetësisë po punon në sigurimin e 10 milionë dozave të vaksinës nën skemën e COVAX, 20 milionë doza të vaksinës Pfizer dhe 40 milionë doza të vaksinës ruse, Sputnik V. Së fundmi Vietnami ka pranuar 2.9 milionë doza dhe synon t’i sigurojë edhe 150 milionë doza këtë vit./UBTNews