Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetimet fillestare lidhur me një rast në të cilin dyshohet për përfshirjen e dy zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Rahovec, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Sipas njoftimit të IPK-së, bazuar në informacionet preliminare dhe provave të siguruara deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se zyrtarët policorë të përfshirë mund të kenë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Si pjesë e veprimeve të ndërmarra, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që të suspendojë përkohësisht nga detyra dy zyrtarët në fjalë, me qëllim të parandalimit të ndikimit në hetime dhe ruajtjes së integritetit të procesit hetimor.
Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve i IPK-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe veprimet eventualisht të kundërligjshme./S.K/KP/PK/