16 shtatori shënon dyvjetorin e vdekjes së 22-vjeçares kurdo-iraniane, Mahsa Amini, e cila vdiq si pasojë e arrestimit nga policia morale e Iranit për shkak të veshjes së “pahijshme”. Vdekja e saj shkaktoi valë të mëdha të protestave në historinë e Republikës Islamike.
Disa ditë pas vdekjes së Mahsa Aminit, dhjetëra mijëra iranianë dolën në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre, duke brohoritur, “Grua, jetë, liri”. Këto protesta, të cilat zgjatën për disa muaj, u shtypën me dhunë nga autoritetet iraniane.
“Tani e dimë se gjatë shtypjes së këtyre demonstruesve është përdorur dhunë e paprecedentë. Ishte shumë më keq nga sa mendonim”, tha Chowra Makaremi, një antropologe dhe specialiste e Iranit. “Ne vërtet jemi të vetëdijshëm për shkallën e mizorisë vetëm duke lexuar dëshmitë e mbledhura nga hetimi i OKB-së”.
Në raportin e OKB-së, i cili u publikua në muajin mars, u gjetën prova të vrasjeve jashtëgjyqësore dhe krimeve kundër njerëzimit. Hetuesit gjetën shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, sikurse tortura, përdhunimi dhe forma të tjera të dhunës seksuale ndaj protestuesve.
Mbi 30 mijë arrestime u regjistruan dhe të paktën 551 protestues u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë 49 gra dhe 68 fëmijë.
“Shumica e vdekjeve u shkaktuan nga armët e zjarrit, sikurse pushkët”, thuhet në raport./UBTNews/