Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj ka deklaruar se dy pacientët të cilët kishin vdekur dy ditë më parë në këtë klinikë nga Covid-19, kanë pasur edhe sëmundje tjera të rënda kronike.
Ai në një videodeklarim dërguar mediave ka thënë se aktualisht në Klinikën Infektive të hospitalizuar gjithsejtë janë 10 pacientë.
“Aktualisht në Kliniken Infektive të hospitalziuar gjithsejtë 10 pacientë, dy prej tyre janë me oksigjenoterapi. Dy ditë më parë në Klinikën Infektive dy pacientë kanë përfunduar me vdekje, njëri në moshën 80-vjeçare, i cili ka qëndruar në Klinikën Infektive dy orë, ngase ka pasur sëmundje të tjera të rënda kronike, dhe një pacient tjetër në moshën 67-vjeçare, i cili lëngonte nga sëmundje të rënda kronike, i cili ishte duke u trajtuar më herët në Klinikën Infektive”, ka thënë Vishaj.
Ndërsa, ka shtuar se nuk ka nevojë për panik, pasi siç tha ai, janë duke e përcjellë situatën epidemiologjike me vëmendje të shtuar dhe do të veprojnë konform situatës që vjen.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi mjaftueshëm oksigjenoterapi, kemi barna dhe staf mbështetës mjaftueshëm. Mendoj që nuk ka nevojë për ndonjë panik, ne jemi duke e përcjellë situatën epidemiologjike me vëmendje të shtuar dhe varësisht nga situata do të veprojmë konform situatës që na vjen”, ka theksuar Vishaj.