Të paktën 2 persona kanë humbur jetën ndërsa 3 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit të hapur dhe sulmit ajror të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve, WAFA, ushtarët izraelitë kanë hapur zjarr ndaj civilëve në jug dhe veri të Rripit të Gazës.
Në lajm bëhet e ditur se si pasojë e zjarrit të hapur në qytetin Rafah kanë humbur jetën 2 palestinezë, ndërsa një sulm ajror është kryer ndaj qytetit Khan Yunis.
Më tej thuhet se tre persona u plagosën në një sulm ajror të ushtrisë izraelite në zonën Al-Mawasi të qytetit Khan Yunis.
Mjetet ajrore pa pilot të ushtrisë izraelite vazhdojnë fluturimet intensive në rajonin e Rafahut.
Që nga 19 janari, kur hyri në fuqi armëpushimi, në shkeljet e vazhdueshme të Izraelit, kanë humbur jetën 116 palestinezë ndërsa 490 të tjerë janë plagosur.
Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu tha se ka vendosur ndalimin e hyrjes së të gjitha ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi i të burgosurve ka qenë në fuqi që nga janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që ka vrarë më shumë se 48.380 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.