UBT News

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Exit mobile version