Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin tragjik që ndodhi mesditën e të hënës në Podujevë, ku një 30-vjeçar mbeti i vdekur ndërsa u plagos gruaja e tij.
Në raport bëhet e ditur se në lidhje me rastin është arrestuar një person, ndërsa i dyshuari tjetër mbetet në arrati.
“Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin 24-orësh.
Po ashtu bëhet e ditur se lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati.
Rasti nën procedurë hetimore.