Dy raste të ndara të lëndimeve të shkaktuara nga mjet i mprehtë janë raportuar gjatë orëve të para të 10 dhjetorit në fshatin Koshuticë të Leposaviqit.
Rasti i parë u raportua rreth orës 00:50, kur dy banore të zonës gjetën në oborrin e shtëpisë së tyre një burrë të plagosur. Viktima, një 40-vjeçar me shtetësi siriane, u dërgua fillimisht në Spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe më pas në atë të Jugut për trajtim.
Rreth orës 11:05, njësi policore gjatë patrullimit gjeti një tjetër shtetas sirian, 27 vjeç, me lëndime në kokë dhe këmbë. Sipas deklarimit të tij, ngjarja kishte ndodhur natën e kaluar dhe i dyshuari ishte larguar në drejtim të kufirit me Serbinë.
Të dy personat janë duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet dhe është në kërkim të të dyshuarit.
“Dy dëshmitare femra kosovare, kanë raportuar se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë vërejtur një person të shtrirë me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga mjeti i mprehtë. Viktima mashkull i moshës rreth 40 vjeçar, shtetas i Sirisë është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm. Me raport shtesë rreth orës 11:05 jemi njoftuar se njësiti nga SPMK Jarinje gjatë patrullimit në fsh. Koshuticë ka vërejtur një person mashkull Sirian i moshës 27 vjeçar me lëndime në kokë dhe këmbë që dyshohet se plagët janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Viktima ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë dhe i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit të Serbisë. Njësiti i emergjencës viktimën e kanë dërguar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për tretman të mëtutjeshëm“, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
