Ndërsa Qeveria e Kosovës nuk qe e gatshme të dalë garantuese e lirimit nga paraburgimi të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjenden në Hagë, këtë gatishmëri e kanë shfaqur dy shtete të tjera.
Kështu thuhet në vet parashtresat e avokatit të ish-Presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, Gregory Keohe, përcjell klankosova.tv.
”Më e rëndësishmja, që nga Vendimi i Parë, mbrojtja për Z. Thaçi tani ka marrë garanci me shkrim nga dy shtete, (“Shtetet e Treta”), njëra prej të cilave është një shtet kontribues, për të lehtësuar lirimin e z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse”.
Megjithatë ende nuk dihet se cilat nga vendet kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit, teksa për këtë ishte përmendur edhe Sllovenia.
Keohe përveç kundër-argumentimit të fakteve të prezentuara nga Prokuroria, jep detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.
Avokati amerikan i Hashim Thaçit tutje shton se Prokuroria e Specializuar e ka huqur tërësisht kontekstin kohor se kur planifikonte ta niste gjykimin.
Sipas tij, në Kosovë, Thaçi nuk e ka më ndikimin që e ka pasur më herët dhe se ky fakt nuk përbën ndonjë rrezik për ndërhyrje në procedurë në rast të lirimit të tij nga paraburgimi.