Policia ka arrestuar dy shtetas të Turqisë në Prishtinë, të dyshuar se kanë kryer disa vepra penale në bashkëveprim, përfshirë falsifikim dokumentesh, falsifikim parash dhe mbajtje të paautorizuar të armës. Arrestimet janë kryer më 20 nëntor 2025, rreth orës 09:45.
Gjatë kontrollit të kryer në dy lokacione të ndryshme, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash. Në listën e materialeve të konfiskuara përfshihen gjashtë vula me përmbajtje të ndryshme, një armë zjarri, dokumente të dyshuara si falsifikime, katër telefona, një USB, dy llaptopë, si dhe kartëmonedha e monedha të ndryshme.
Në lidhje me rastin janë intervistuar gjashtë dëshmitar, po ashtu shtetas të Turqisë. Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë ndaluar dhe dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shtetas të Turqisë, nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim i kanë kryer veprat penale të lartcekura. Gjatë kontrollit në dy lokacione, si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar : gjashtë vula me përmbajtje të ndryshme, një armë zjarri, dokumente të ndryshme falsifikuese, katër telefona, një USB, dy llap-top, si dhe kartëmonedha dhe monedha të ndryshme. Lidhur me rastin janë intervistuar gjashtë dëshmitar meshkuj shtetas të Turqisë . Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje“, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
