UBT News

Dy raste të substancave narkotike në Prizren, arrestohen tre persona

Sipas raportit të fundit të Policisë së Kosovës, gjatë së dielës në qytetin e Prizrenit janë evidentuar tri raste që lidhen me posedim të substancave narkotike, ku janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë.

Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të dyshuarve, policia ka gjetur dhe konfiskuar si prova materiale një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 56.44 gramësh, një “grinder” si dhe një pako me rizlla. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në dy raste të tjera, gjatë kontrollit në dy lokacione të ndara, në shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë  janë gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 0.91 gramësh, fara kanabisi në peshë 0.28 gramësh, disa doza marihuanë në peshë prej 8.48 gramësh, një foli alumini dhe një peshore elektronike. Të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këto raste janë në vazhdim.

Exit mobile version