UBT News

Dy raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, arrestohen të dyshuarit

Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara të dhunës në familje, të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë dhe Gjakovë.

Sipas raportit policor, rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë më 13 maj, ku është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas me të cilën bashkëjeton. Policia njofton se viktima kishte kërkuar ndihmë nga djali i saj, i cili fillimisht ishte munduar t’i ndajë palët gjatë përleshjes, por më pas ishte përfshirë edhe vetë në një rrahje me të dyshuarin, që raportohet të jetë njerku i tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa djali i viktimës, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar në Gjakovë më 12 maj, ku një tjetër i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar për shkak të ushtrimit të dhunës psikike ndaj nënës së tij. Pas inicimit të rastit dhe procedurave të nevojshme, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Policia vazhdon të bëjë thirrje për raportimin e rasteve të dhunës në familje dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

Exit mobile version