UBT News

Dy punonjës të ambasadës izraelite qëllohen për vdekje në Washington

Dy punonjës të ambasadës së Izraelit janë qëlluar për vdekje mbrëmjen e 21 majit 2025, pranë Muzeut Hebraik të Kryeqytetit në Washington. Viktimat, një burrë dhe një grua, u qëlluan rreth orës 21:05 me orën lokale, teksa po dilnin nga një ngjarje kulturore në muze. Identiteti i tyre nuk është bërë ende publik.

Policia ka identifikuar të dyshuarin si Elias Rodriguez, 30 vjeç, nga Çikago, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas autoriteteve, Rodriguez është parë duke u sjellë në mënyrë të dyshimtë pranë muzeut para ngjarjes. Ai është afruar një grupi prej katër personash dhe ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vdekur dy prej tyre.

Shefja e policisë së Washingtonit, Pamela Smith, ka deklaruar se gjatë arrestimit, Rodriguez ka brohoritur “Liri për Palestinën”. Hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse ngjarja ka qenë një krim urrejtjeje ose e lidhur me ndonjë akt të mundshëm terrorizmi, ka njoftuar edhe përfaqësuesi i FBI-së, Steve Jensen.

Zëdhënësja e ambasadës izraelite, Tal Naim Cohen, konfirmoi se viktimat ishin pjesë e stafit të ambasadës dhe po merrnin pjesë në një aktivitet hebraik. Ajo tha se ambasada është thellësisht e tronditur dhe në komunikim të ngushtë me autoritetet amerikane.

Kryetarja e Bashkisë së Washingtonit, Muriel Bowser, theksoi se nuk ka kërcënim të vazhdueshëm për qytetarët, ndërsa Shefja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, u zotua se “autori do të sillet para drejtësisë”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka dënuar ashpër sulmin, duke e quajtur një akt të motivuar nga antisemitizmi. “Këto vrasje të tmerrshme, të bazuara qartazi në urrejtje, duhet të marrin fund. Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA,” shkroi ai në platformën e tij Truth Social, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave./CNN/

Exit mobile version