Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë konfirmuar mospjesëmarrjen në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë për KosovaPress se pas vendimit të marrë nga bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk do të shkoj në takimin e ftuar nga Kurti.
“Unë fillimisht e kam konfirmuar pjesëmarrjen, por pas vendimit të bordit të AKK, unë nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, ka thënë Muharremaj për KosovaPress.
Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka konfirmuar për KosovaPress se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim. Ai është pyetur nëse njëjtë do të veprojnë edhe bashkëpartiakët e tij.
“Ky nuk është vendim partiak, është vendim i bordit të AKK-së. Unë nuk do të marrë pjesë në këtë takim”, ka deklaruar Tahiri.
Ndryshe, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos marrin pjesë në takimin urgjent të ftuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
KosovaPress ka mësuar se mos-përfshirja e komunave të Kosovës në komitetin anti-COVID ka indinjuar kryetarët dhe të njëjtit priten të mos marrin pjesë në këtë takim.
“Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për formimin e komitetit anti-COVID, ku Asociacioni i Komunave të Kosovës ka qenë anëtar, dhe largimi i AKK në mënyrë arbitrare i ka indinjuar kryetarët e komunave dhe pothuajse arsyeja kryesore që sot bordi i AKK ka bërë ftesë që kryetarët të mos shkojnë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti është kjo”, thotë një burim për KosovaPress.
Qëllimi i këtij takimi mësohet të jetë situata e krijuar nga pandemia me COVID-19. Ky takim i thirrur nga Kurti pritet të mbahet në ambientet e Qeverisë së Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Takimi tashmë ka filluar e aty po merr pjesë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri që vie nga radhët e Vetëvendosjes.