UBT News

Dy ish zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dënohen me burgim dhe detyrohen t’i kthejnë afro 30 mijë euro

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve XH.B. dhe B.T. për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari XH.B. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite burgim, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë.

I akuzuari B.T. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite burgim, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë.

Konform nenit 62 par. 1 e 2 pika 2.3 të KPRK-së, të akuzuarve XH.B. dhe B.T. secilit veç e veç, iu shqiptohet dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, edhe atë pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Obligohen të akuzuarit XH.B. dhe B.T. që t’i kompensojnë dëmin të dëmtuarës Ministrisë së Infrastrukturës, në shumën prej 29,828.03 €.

“I akuzuari XH.B. dhe B.T. në cilësinë e personave zyrtar kishin tejkaluar autorizimet e tyre dhe me këtë kishin kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e bërë për media nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.

Exit mobile version