Dy burra rusë që pretendojnë se janë ish-komandantë të Grupit Wagner i kanë thënë një aktivisti për të drejtat e njeriut se kanë vrarë fëmijë dhe civilë gjatë kohës së tyre në Ukrainë.
Pretendimet u bënë në intervista video me Gulagu.net, një organizatë e të drejtave të njeriut që synon korrupsionin dhe torturën në Rusi.
Aty ish-të dënuarit rusë Azamat Uldarov dhe Alexey Savichev përshkruajnë veprimet e tyre në Ukrainë, gjatë pushtimit të Rusisë.
CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet ose identitetin e tyre në video, por ka marrë dokumente penale ruse që tregojnë se ata u liruan me falje presidenciale në shtator dhe gusht të 2022.
Uldarov, i cili duket se ka qenë duke pirë, detajon se si qëlloi dhe vrau një vajzë pesë ose gjashtë vjeçare.
“(Ishte) një vendim menaxhimi. Nuk më lejuan të lija askënd të gjallë, sepse urdhri im ishte të vrisja gjithcka në rrugën time”, tha ai.
Sipas Gulagu.net, dëshmitë iu dhanë themeluesit dhe disidentit rus Vladimir Osechkin për një javë. Ai tha se Uldarov dhe Savichev ishin në Rusi kur folën.
“Dua që Rusia dhe vendet e tjera ta dinë të vërtetën. Unë nuk dua luftë dhe gjakderdhje. E shihni se unë mbaj një cigare në këtë dorë. Kam ndjekur urdhrat me këtë dorë dhe kam vrarë fëmijë”, tha Uldarov, duke përshkruar motivimin e tij për intervistën.
Uldarov tha se në qytetet lindore të Ukrainës, Soledar dhe Bakhmut – të cilat kanë parë disa nga luftimet më të ashpra – mercenarëve të Wagner “u dha komanda për të asgjësuar të gjithë”.
“Ka një epror mbi të gjithë komandantët – është Prigozhin, i cili na tha që të mos lejojmë askënd të dalë prej andej dhe të asgjësojmë të gjithë”, shtoi ai.
Në një moment të intervistës, Savichev përshkroi se si ata “morën urdhrin për të ekzekutuar çdo burrë që ishte 15 vjeç e lart”.
“Qoftë një kasolle apo një shtëpi, qëllimi ishte të sigurohesh që të mos kishte mbetur asnjë person i vetëm brenda gjallë”, tha ai. “Mund të më dënoni për këtë. Unë nuk do të kundërshtoj, është e drejta juaj. Por edhe unë doja të jetoja”.
Savichev tha se luftëtarët e Wagnerit që nuk zbatuan urdhrat u vranë.
Shefi i Wagner Group, Prigozhin konfirmoi në kanalin e tij Telegram se kishte parë pjesë të videos dhe kërcënoi me hakmarrje ndaj dy ish-luftëtarëve të Wagner. “Sa i përket asaj që filmoi (Osechkin), shikova pjesët e videos që arrita të shihja” tha ai. “Mund të them sa vijon: nëse të paktën një nga këto akuza ndaj meje vërtetohet, unë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi sipas çdo ligji”.
Por Prigozhin tha se “nëse asgjë nuk konfirmohet, unë do të dërgoj një listë me 30-40 persona që po më pështyjnë si Osechkin, që Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës është i detyruar të më dorëzojë për një “gjykim të drejtë”, tani sa flasim”.
“Kjo është një gënjeshtër flagrante. Këta njerëz janë armiqtë tanë dhe ne do të sillemi me ta në një mënyrë të veçantë”.
“Në lidhje me ekzekutimin e fëmijëve, natyrisht, askush nuk qëllon kurrë civilë ose fëmijë, absolutisht askush nuk ka nevojë për këtë. Ne shkuam atje për t’i shpëtuar nga regjimi nën të cilin ishin”, tha Prigozhin në Telegram./UBTNews/