Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) janë ndaluar nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbime mjekësore.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit, dhe B.R., në cilësinë e infermierit, dyshohet se gjatë ndërrimeve të natës, në periudha të ndryshme nga viti 2024 deri në fund të vitit 2025, kanë përvetësuar mjetet financiare të arkëtuara nga pagesat e pacientëve.
Hetimet kanë zbuluar se Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. 1,032 euro. Sipas Prokurorisë, shuma e përgjithshme e mjeteve të përvetësuara arrin në 2,282 euro.
Veprimet e tyre dyshohet se përbëjnë veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Pas intervistimit, në prani të mbrojtësve, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë./A.K/
