Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka prezantuar dy aderime, Gëzim Ibrahimin dhe Ismet Hajdinin. Me këtë rast, Limaj e vlerësoi si lajm të jashtëzakonshëm këto aderime, derisa tha se Nismës Socialdemokrate po iu bashkohen njerëz intelektualë, veprimtarë e me ide të qarta. Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë për zgjerimin e kësaj partie.
I aderuari Gëzim Ibrahimi përmendi dy arsye kryesore që ndikuan për t’iu bashkuar Nismës Socialdemokrate. Sipas tij, gjendja momentale në politikë të brendshme dhe të jashtme, shëndetësi, arsim e ekonomi kanë nevojë për qeverisjen e NISMA-së. Ibrahimi tha se kryetari Limaj ka ide, vullnet dhe përvojë të mjaftueshme për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Arsye tjetër, Ibrahimi tha se gjatë qeverisjeve të më hershme ku ka qenë Nisma Social Demokrate, Anamoravë ka pasur një përkrahje të jashtëzakonshme.
Ndërkaq ish-ministri Fatmir Matoshi, i cili tashmë ka aderuar në Nismën Socialdemokrate tha se përgjatë muajve të fundit kanë ardhur në përfundim se ka ardhur koha për NS-në në rajonin e Anamoravës.