Policia e Durrësit ka arrestuar një 27-vjeçar dhe ka proceduar penalisht bashkëshorten e tij, pasi këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro.
Ata do të akuzohen për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë.
Detaje nga policia:
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç. Ai ishte banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë. Dhe, i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre./lapsi.al