Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi i pyetur për rastin e Pal Lekaj tha se në këtë proces gjyqësor, bëhet fjalë për 97 milionë euro, e jo vetëm për 53 milionë euro. Ai tha se Pal Lekaj ka edhe një rast tjetër të pa përfunduar dhe se pritet që edhe ai rast të përfundojë në gjykatë.
Durmishi tha se me përfundimin e dy rasteve të Pal Lekajt do të merret vendimi për të gjithë akterët e përfshirë.
“Për rastin e Pal Lekaj, aty është duke u zhvilluar një proces gjyqësor, është edhe një proces tjetër gjyqësor, pra e kam thënë edhe disa herë të tjera që nuk bëhet fjalë për 53 milionë, por bëhet fjalë për 97 milionë sepse janë dy raste të ndara, njëri është 53 milion tjetra 44 milion. Që të dyja janë problematike, për njërën është zhvilluar një proces gjyqësor është vendimi i shkallës së parë , do të pritet derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme, të përfundojnë edhe kjo pjesa tjetër, pastaj pas përfundimit të proceseve gjyqësore ne do të shohim gjitha hapat që mund të ndërmarrim si shtet, si qeveri e Kosovës, në raport me kontraktorin që ka qenë apo edhe e gjithë akterët që kanë qenë të përfshirë”, tha Durmishi.