Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi është ftuar nga Prokuroria Speciale për tenderin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Durmishi, i cili ka theksuar se është i ftuar me datën 8 maj.
“Dëshiroj të ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga prokuroria speciale për intervistë me datën 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorzuar në prokurori speciale para gati tri viteve. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Me gjasë dikujt po i pengon dinamika e punimeve në këtë projekt sepse gjithçka po ecën sipas planit”, potencoi Durmishi.
“Të ftosh zv.ministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim”.
Durmishi potencoi se ka raste të tjera të cilat i ka dërguar në prokurorinë Speciale por që të njejtin kanë zvarritur procesin.
“Sa e sa raste kam dërguar në prokurori speciale, prokurori themelore e polici të krimeve ekonomike dhe asnjë deri më tash nuk po trajtohet, përkundrazi zvarriten me vite e vite edhe pse ka fakte sa të duash për krim e korrupsion. Rasti i mirëmbajtjes së urave p.sh ku nga 500 mijë euro të planifikuara në fund kontrata përfundon në 5 milionë e 300 mijë euro. Nuk e di çfarë fakti tjetër i duhet prokurorit për të vepruar! Unë me datë 8 maj do të shkoj në Prokurori Speciale për të ju treguar që jam i lumtur që jam nënshkrues i kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Do të doja që edhe projektet tjera të ecnin me dinamikën e punëve që po bëhen në këtë rrugë. Do të vazhdoj që t’a kryej punën time me nder e përkushtim pavarësisht pengesave që na dalin gjatë rrugës”, përfundoi ai.