UBT News

​Dujarric: Shefi i OKB-së do të qëndrojë në pozitë “deri në fund të mandatit të tij”

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do të qëndrojë në pozitë deri në përfundimin e mandatit të tij, tha të enjten zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, duke iu përgjigjur kërkesës së Izraelit për dorëheqjen e Guterres pas thirrjes së tij ndaj një neni të Kartës së OKB-së që përdoret rrallë në lidhje me konfliktin në Gaza.

“Mund të prisni që sekretari i përgjithshëm të jetë në punë nesër dhe deri në fund të mandatit të tij”, u tha Stephane Dujarric gazetarëve në New York.

Ai tha se komunikimi i OKB-së me autoritetet izraelite është i vazhdueshëm në baza ditore, “nëse jo gjatë gjithë kohës”, si në nivel politik ashtu edhe në atë operacional në lidhje me sistemet humanitare.

“Ne nuk arrijmë gjithmonë në një marrëveshje, por unë do të thosha se kontaktet mbeten shumë profesionale në këtë drejtim”, shtoi ai.

Të mërkurën, Guterres, për herë të parë në mandatin e tij, thirri nenin 99 të Kartës së OKB-së, duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë për luftën në Gaza.

Sipas nenit 99, sekretari i përgjithshëm mund të sjellë në vëmendjen e Këshillit të Sigurimit çdo çështje që sipas mendimit të tij mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në letër, Guterres i kërkoi Këshillit të ndihmojë në shmangien e një katastrofe humanitare dhe të apelojë për shpalljen e një armëpushimi humanitar.

“Pritjet e sekretarit të përgjithshëm nga Këshilli i Sigurimit, në përmbushjen e përgjegjësive të tij sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara janë shumë të qarta në letër, ku ai përmend nenin 99 për herë të parë”, tha Dujarric.

Në një pyetje në lidhje me gazetarët e arrestuar në Rripin e Gazës, Dujarric tha se OKB-ja do të vazhdojë të nënvizojë rrezikun që gazetarët po marrin për të raportuar për konfliktin aktual.

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Të paktën 17.177 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 46.000 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi. Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1.200./AA

Exit mobile version