UBT News

Dugolli intervistohet nga Prokuroria Speciale

Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si i pandehur për akuza të “nxitjes së urrejtjes”.

Padi kundër tij është ngritur nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, i biri i Ajet Istogut.

Dugolli thotë se gjatë viteve ’80 ka qenë viktimë e dhunës fizike, psikike dhe emocionale nga Ajet Istogu dhe se kjo dhunë ka lënë pasoja edhe në shëndetin e tij.

Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80”, ka shkruar Dugolli.

Ai ka shtuar se për familjarët që ngrenë padi, nuk ka kërkuar të mbrojnë krimet e të afërmit të tyre, por të tregojnë pak dinjitet, qoftë edhe në formën e heshtjes.

Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Unë prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë. Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime”, ka shkruar Dugolli.

Në të kaluarën, Dugolli ka përmendur emrat e disa shqiptarëve që sipas tij kanë punuar për UDB-në dhe kanë kryer tortura. Ndër emrat që ka përmendur janë: Ajet Istogu, Isa Bunjaku, Lutfi Ajazi, Hamëz Hajra dhe Tahir Shala./D.B/EO

Exit mobile version