UBT News

“Duan të ngjallin frikë”: Nga shtypja e trazirave, Irani u kthehet ekzekutimeve publike

Nga Sanam Mahoozi dhe Alexander Smith

Qeveria e Iranit qe disa muaj po i shtyp me dhunë protestat që e kanë kapluar vendin. Madje ka filluar që t’i ekzekutojë publikisht protestuesit – një qasje që disa protestues dhe ekspertë e konsiderojnë si tentativë të Iranit për të shtypur disidencën, që është një sfidë e paprecedentë për regjimin klerikal.

Ekzekutimet e para publike të personave që u arrestuan gjatë protestave disamujore nxitën reagimin e qeverive perëndimore dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, por ato nuk ishin befasi për ata që ishin të përfshirë në protesta ose që i vështronin me kujdes nga larg.

“Ata duan të ngjallin frikë për njerëzit që janë të përfshirë”, tha për NBC News Saeed, një pronar biznesi rreth të 30-ave nga Teherani, i cili është shumë aktiv duke mbështetur protestat në rrjete sociale. Ai u identifikua vetëm përmes emrit të tij, për t’iu shmangur potencialisht hakmarrjes nga Irani.

“Ata duan t’i tregojnë publikut se veprimet e tyre nuk do të mbeten pa u ndëshkuar dhe se ka rregulla në këtë sistem”, shtoi ai, dhe në mënyrë që “familjet t’i ndalin fëmijët e tyre nga pjesëmarrja në protesta”.

Të hënën e kaluar, zyrtarët ekzekutuan publikisht një burrë nga një vinç ndërtimi në Mashhad, sipas Mizan, një agjenci lajmesh e drejtuar nga gjyqësori. Majidreza Rahnavard u akuzua për “luftë kundër Zotit” pasi dyshohet se vrau me thikë dy anëtarë të milicisë pro-qeveritare Basij në qytetin verilindor. Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore thonë se sistemi gjyqësor i Iranit bazohet në gjyqe të rreme pas dyerve të mbyllura.

Një javë më parë, Irani ekzekutoi një burrë tjetër, Mohsen Shekari, i dyshuar për bllokimin e një rruge në Teheran dhe therjen me thikë të një anëtari të milicisë pro-qeveritare. Edhe disa të tjerë janë dënuar me vdekje, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.

“Regjimi e di se po lufton për mbijetesë”, tha Abbas Milani, drejtor i një programi studimesh iraniane në Universitetin Stanford. Sipas tij, tani regjimi po do t’ua ngjall frikën njerëzve.

Ekzekutimet me varje nuk janë aspak të rralla në Iran. Amnesty International thotë se Irani vrau 314 persona vitin e kaluar, më së shumti në botë pas Kinës.

Por shumë aktivistë dhe analistë besojnë se Republika Islamike aktualisht po përdor dënimin me vdekje si një mënyrë për të tmerruar protestuesit në heshtje, pasi përpjekjet e tjera dështuan për të shuar valën më të rëndësishme të mospajtimit që nga revolucioni i saj themelues në vitin 1979.

“Ky është një standard; këtë e kanë bërë edhe në protestat e mëparshme”, tha Ali Ansari, një profesor i historisë iraniane në Universitetin St. Andrews në Skoci. Por këtë herë, sipas tij, këtë po e bëjnë përmes gjyqeve të rreme për shkak se edhe ata që janë në anën e tyre po i kritikojnë.

Disa protestues mendojnë se regjimi mund të jetë duke përdorur ekzekutimet si një mënyrë për të përkrahur mbështetësit e vet dhe për të zvogëluar rrezikun e mospajtimit në radhët e tij duke treguar se do të merret ashpër me krimet e supozuara kundër anëtarëve të forcave të sigurisë dhe milicisë pro-qeveritare.

“Disa anëtarë të Basij dhe forcave të sigurisë kanë vdekur dhe regjimi mendon se është detyrë e tyre të hakmerren”, tha banori i Teheranit, Yan, një regjisor aspirant rreth të 30-tave, i cili është gjithashtu i përfshirë në protesta.

“Gjak për gjak, sy për sy, ky është mentaliteti i regjimit”, shtoi ai. “Kjo do të thotë se për secilin anëtar prej forcave të tyre të sigurisë që do të vdesë, ata do të varin një protestues në shenjë hakmarrjeje”.

Trazirat shpërthyen në mes të shtatorit kur një grua kurde, Mahsa Amini, 22 vjeç, vdiq në një spital tri ditë pasi u arrestua nga policia morale e vendit nën dyshimet se theu kodin e rreptë të veshjes./UBTNews/

Exit mobile version