UBT News

Dua Lipa në Coachella 2027

Festivali i njohur i muzikës Coachella Valley Music and Arts Festival ka publikuar listën e artistëve që do të performojnë në edicionin e vitit 2027, ku në mesin e emrave kryesorë është edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

Ylli i muzikës pop do të jetë një nga artistet kryesore të festivalit, së bashku me Tame Impala dhe SZA, të cilët do të kryesojnë programin muzikor gjatë dy fundjavave të këtij eventi.

Dua Lipa do të performojë të premten, më 9 prill, ndërsa do të rikthehet në skenë edhe më 16 prill, gjatë fundjavës së dytë. Tame Impala do të jetë emri kryesor i së shtunës, kurse SZA do të mbyllë programin e së dielës.

Coachella 2027 do të mbahet më 9–11 dhe 16–18 prill, në Empire Polo Club, në Indio të Kalifornisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se të dy fundjavat do të kenë të njëjtën listë artistësh.

Një prej surprizave të këtij edicioni është rikthimi i ikonës së muzikës pop, Madonna, e cila do të performojë në Dance Tent. Në festival do të jetë i pranishëm edhe Daddy Yankee, me një paraqitje të veçantë të prezantuar si “In the Desert”.

Në mesin e artistëve të tjerë që do të ngjiten në skenat e Coachellas janë Zara Larsson, Kehlani, Phoebe Bridgers, Weezer, Tiësto, Martin Garrix, Role Model, Don Toliver, Dom Dolla, Kygo, Empire of the Sun, The Neighbourhood dhe Becky G.

Pjesëmarrja e Dua Lipës në mesin e emrave kryesorë të festivalit shënon një tjetër paraqitje të rëndësishme në karrierën e saj ndërkombëtare.

Biletat do të dalin në shitje të premten, më 13 nëntor, në orën 12:00, sipas njoftimit të organizatorëve.

/A.K/

Exit mobile version