Negociatat për përfshirjen e Dua Lipës në edicionin e vitit 2027 të Festivalit të Sanremos kanë avancuar ndjeshëm, sipas agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos.
Megjithatë, deri tani as transmetuesi italian Rai dhe as organizatorët e festivalit nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen e këngëtares shqiptaro-britanike.
Sipas raportimeve, nëse arrihet marrëveshja, Dua Lipa mund të ketë një rol më të rëndësishëm se ai i një të ft uareje ndërkombëtare. Ajo mund të angazhohet si bashkëprezantuese në njërën prej netëve kryesore të festivalit.
Sanremo 2027 do të mbahet në Teatrin Ariston nga 16 deri më 20 shkurt, ndërsa festivali do të jetë edicioni i parë nën drejtimin e Stefano De Martinos.
Për Dua Lipën kjo do të ishte një rikthim në skenën e Sanremos. Ajo performoi aty në vitin 2020, kur interpretoi hitin “Don’t Start Now”.
Ende nuk dihet se në cilën natë mund të shfaqet ajo në edicionin e ardhshëm. Ndër mundësitë e përfolura janë nata e hapjes, finalja, ose nata që lidhet me përzgjedhjen e përfaqësuesit të Italisë për Eurovision.
Një faktor që mund ta lehtësojë pjesëmarrjen e saj është fakti se, sipas raportimeve, Dua Lipa nuk ka aktualisht të planifikuara koncerte apo performanca live gjatë datave të Sanremos 2027.
Përveç saj, me festivalin janë lidhur edhe emrat e Maria De Filippit dhe humoristes Brenda Lodigianit, por as këto pjesëmarrje nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Nëse marrëveshja finalizohet, Dua Lipa do të rikthehej në Ariston jo vetëm si artiste, por si një prej figurave qendrore të festivalit./A.K/
