Dy muaj pas martesës me aktorin Callum Turner, Dua Lipa ka folur hapur për dashurinë, jetën e saj dhe kapitullin e ri personal, në një intervistë për Vogue Italia.
Në intervistën e publikuar më 24 gusht, këngëtarja tregon se dita e martesës ishte magjike dhe se ajo dhe Turner vendosën të ndiqnin vetëm dy këshilla: ta përjetonin ditën sikur të ishin edhe vetë të ftuar, me më pak ankth e më shumë argëtim, dhe të kërkonin vazhdimisht njëri-tjetrin mes të pranishmëve. Festimet u zhvilluan në Sicili, pas ceremonisë civile në Londër.
Dua Lipa ka treguar edhe për lidhjen e saj të veçantë me Italinë, ku thotë se gjen qetësi dhe mirëqenie. Për të, prania e bashkëshortit tashmë lidhet drejtpërdrejt me ndjenjën e shtëpisë.
“Ndihem në shtëpi kudo që është Callum”, është shprehur ajo.
Këngëtarja ka folur edhe për mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj ndaj dashurisë. Ndërsa në këngët e mëparshme shpesh trajtonte kërkimin e dashurisë, tash ajo dëshiron të eksplorojë se çfarë ndodh kur dashuria e vërtetë tashmë është gjetur.
“Tani dua të zbuloj çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë”, ka thënë Lipa, duke theksuar se e tërheqin më shumë kompleksitetet dhe detajet e vogla të një marrëdhënieje.
“Duhet të kem kujdes me atë që dëshiroj”
Lipa ka folur edhe për manifestimin, praktikë për të cilën ka treguar prej kohësh interes. Në “Training Season”, kënga e publikuar në fillim të vitit 2024, ajo këndonte për dëshirën për të gjetur dashurinë e vërtetë. Më vonë ajo konfirmoi lidhjen me Turner, ndërsa në vitin 2026 çifti u martua.
“Duhet të kem kujdes me atë që shpresoj, sepse pothuajse gjithmonë më realizohet”, ka thënë ajo.
Përtej karrierës, këngëtarja thotë se tash nuk e mat më suksesin vetëm me arritjet profesionale. Ajo dëshiron një jetë “full but not busy”, pra të pasur, por jo të mbushur me angazhime të pafundme.
Leximi mbetet një tjetër pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Përmes Service95, ajo ka krijuar edhe një platformë ku kultura, udhëtimet, ushqimi dhe çështjet sociale ndërthuren me përmbajtje të ndryshme, ndërsa klubi i saj i leximit e ka afruar me autorë dhe lexues nga vende të ndryshme.
Nga Prishtina në Londër dhe në skenën botërore
Dua Lipa ka folur edhe për prejardhjen e saj dhe rrugëtimin drejt suksesit. E lindur në Londër nga prindër kosovarë, ajo u kthye me familjen në Prishtinë dhe më vonë u rikthye në Londër në moshën 15-vjeçare, me synimin për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore.
Sot, pas një karriere ndërkombëtare dhe tash si e sapomartuar, Lipa thotë se është më pak perfeksioniste dhe më e gatshme ta pranojë paparashikueshmërinë e jetës.
“Me kalimin e kohës kam mësuar ta fal veten dhe të jem më e butë me veten”, ka thënë ajo.
Për Dua Lipën, kapitulli i ri duket se ka një temë të qartë: nga kërkimi i dashurisë te përjetimi i saj.
/A.K/
