UBT News

Dua Lipa mbështet protestat kundër projektit luksoz të familjes Trump në Shqipëri

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka shprehur mbështetjen e saj për protestat në Shqipëri kundër projektit luksoz të zhvillimit turistik në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Zvërnecit, të mbështetur nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

Në episodin më të fundit të podcastit të saj Service95 Book Club, Dua Lipa e cilësoi si shqetësues vendimin e qeverisë shqiptare për të ndryshuar ligjin që mbronte zonat e ndjeshme mjedisore, pa konsultim publik.

“Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund ta ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, u shpreh artistja.

Protestat, të cilat kanë zgjatur më shumë se gjashtë javë dhe janë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, kundërshtojnë projektin prej rreth 1,400 hektarësh në ishullin e Sazanit dhe investimin prej 4.7 miliardë dollarësh që parashikon ndërtimin e 10 mijë vilave në gadishullin e Zvërnecit.

Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime se punimet kanë nisur para përfundimit të procedurave ligjore dhe pa një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis.

Nga ana tjetër, Qeveria e Shqipërisë e konsideron projektin si një investim strategjik që synon të nxisë turizmin dhe të mbështesë rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./A.K/

Exit mobile version