UBT News

Dua Lipa martohet me Callum Turner në një ceremoni intime në Londër

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni private të mbajtur në Londër.

Çifti u martua në Old Marylebone Town Hall, një nga lokacionet më të njohura për dasma në Britaninë e Madhe, ku ndër vite kanë lidhur kurorë edhe shumë emra të njohur të botës së artit dhe spektaklit. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë intime, në praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt.

Fotografitë e publikuara nga mediat britanike tregojnë çiftin duke dalë të kapur për dore pas ceremonisë civile, ndërsa të pranishmit i pritën me konfeti dhe petale lulesh, duke festuar një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tyre.

Për ditën e veçantë, Dua Lipa zgjodhi një kostum të bardhë të personalizuar nga shtëpia e modës Schiaparelli, i dizajnuar nga Daniel Roseberry. Nga ana tjetër, Callum Turner u paraqit me një kostum klasik ngjyrë blu të errët.

Megjithatë, festimet nuk pritet të përfundojnë me kaq. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, çifti planifikon të organizojë një ceremoni të dytë martesore në Palermo të Sicilisë, e cila pritet të zgjasë tri ditë dhe të mbledhë figura të njohura nga bota e muzikës, modës dhe kinematografisë.

Dua Lipa dhe Callum Turner nisën lidhjen e tyre në fillim të vitit 2024, ndërsa fejesën e konfirmuan në qershor të vitit 2025. Që nga ajo kohë, ata janë shfaqur shpesh së bashku në ngjarje publike dhe udhëtime të ndryshme, duke u shndërruar në një nga çiftet më të komentuar të showbizit ndërkombëtar.

Exit mobile version