UBT News

Dua Lipa largon nga puna agjentin pas polemikave për qëndrimin ndaj Palestinës

Dua Lipa, një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop, ka marrë një vendim të fortë në karrierën e saj: ka shkarkuar agjentin e saj, David Levy nga agjencia prestigjioze WME.

Arsyeja lidhet me letrën që nënshkroi, ku kërkohej përjashtimi i Kneecap nga festivali Glastonbury, për shkak të qëndrimeve pro-Palestinë.

Ajo u bë publike e shkaktoi reagime të ashpra, por në vend që të përjashtoheshin, Kneecap performuan në skenë para një publiku të gjerë.

Nënshkrimi i Levy-t në atë letër, sipas burimeve pranë Dua Lipës, u pa prej saj si një shenjë mbështetjeje për luftën e Izraelit në Gaza dhe trajtimin e palestinezëve. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që artistja vendosi ta shkarkonte.

Nuk është hera e parë që Lipa shpreh publikisht solidaritetin me Palestinën. Ajo ka reaguar disa herë në rrjete kundër dhunës e krimeve të luftës në Gaza, pavarësisht kritikave që ka marrë nga qarqe politike dhe mediatike.

Kneecap vazhdon të jetë në qendër të polemikave. Njëri prej anëtarëve të grupit, Liam, është akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për shkelje të ligjit antiterrorizëm, pasi dyshohet se ka shfaqur një flamur të Hezbollah-ut gjatë një koncerti. Grupi i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si përpjekje për t’i heshtur. Së fundmi, janë përballur edhe me ndalim në Kanada, ku nuk u lejuan të performonin.

Mbi 400 muzikantë dhe kompani menaxhimi nga e gjithë bota janë bashkuar me nismën “No Music for Genocide”, duke tërhequr muzikën e tyre nga tregu izraelit në shenjë proteste ndaj asaj që e quajnë “spastrim etnik dhe masakër të popullsisë palestineze”. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version