UBT News

Dua Lipa kuratore e “London Literature Festival 2026”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është përzgjedhur kuratore e edicionit 2026 të “London Literature Festival”, i cili do të mbahet nga 21 tetori deri më 1 nëntor në Southbank Centre në Londër. Ky edicion përkon edhe me 75-vjetorin e këtij institucioni të njohur kulturor.

Në këtë rol, Lipa do të jetë përgjegjëse për përzgjedhjen e autorëve pjesëmarrës, temave dhe organizimin e aktiviteteve, duke i dhënë festivalit një qasje personale. Ajo pritet të organizojë një sërë ngjarjesh, përfshirë edhe programet e lidhura me klubin e saj të leximit “Service95 Book Club”, gjatë fundjavës së hapjes dhe përgjatë gjithë festivalit.

“Leximi më ka mbajtur të qëndrueshme në çdo fazë të jetës sime… Të jem kuratore e këtij festivali është një ëndërr e bërë realitet”, është shprehur Dua Lipa, duke shtuar se është e emocionuar të angazhohet me autorët që admiron.

Klubi i saj i leximit, i themeluar në vitin 2023, është shndërruar në një platformë kulturore ku çdo muaj rekomandohen libra dhe zhvillohen biseda me autorë përmes një podcasti. Së fundmi, romani “She Who Remains” i autores bullgare Rene Karabash është përfshirë në listën e gjatë të “International Booker Prize” dhe është një nga rekomandimet e këtij klubi.

Drejtori artistik i Southbank Centre, Mark Ball, e ka cilësuar Lipën si një “forcë globale kulturore”, duke theksuar se pasioni i saj për librat po frymëzon brezat e rinj.

Ky është edicioni i 19-të i festivalit dhe vjen në një kohë kur interesi për lexim është në rënie. Sipas të dhënave të “National Literacy Trust”, vetëm një në tre fëmijë të moshës 8-18 vjeç lexon në kohën e lirë. Për këtë arsye, organizatorët synojnë që përmes aktiviteteve kreative dhe bashkëpunimeve të ndryshme të rikthejnë interesin e të rinjve për librin.

Exit mobile version