Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, dhe partneri i saj, aktori britanik Callum Turner, po përgatiten për fundjavën e ceremonisë së tyre të dasmës në Sicili të Italisë.
Sipas mediave britanike, çifti e ka kurorëzuar martesën ligjërisht në Londër të dielën, ndërsa festimet kryesore pritet të zhvillohen gjatë kësaj fundjave në ishullin italian.
Para nisjes së ceremonive, Dua Lipa dhe Callum Turner janë parë duke kaluar momente të qeta në ballkonin e hotelit luksoz “Villa Igiea” pranë Palermos, ku po qëndrojnë. Hoteli me pesë yje, ku një natë kushton rreth 6 mijë funte, do të presë edhe një pjesë të mysafirëve të çiftit.
Çifti ka mbërritur në Sicili me avion privat, ndërsa festimet pritet të zgjasin tri ditë me pjesëmarrjen e familjarëve dhe miqve të afërt.
Mediat raportojnë se Dua Lipa pritet të mbajë një fustan të dizajnuar posaçërisht nga shtëpia e modës “Versace”, ndërsa për organizimin e dasmës nuk janë kursyer shpenzime, duke përfshirë edhe rezervimin e një kati të tërë suitesh me pamje nga deti për mysafirët.
