Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar episodin e plotë të podcastit Service95 Book Club, ku zhvillon një bisedë me autoren dhe akademiken shqiptare Lea Ypi për librin e saj të vlerësuar ndërkombëtarisht “Free”, i cili është përzgjedhur si leximi i muajit korrik.
Duke prezantuar librin, Dua Lipa kujtoi se Lea Ypi ishte vetëm 11 vjeçe kur ra komunizmi në Shqipëri dhe se në fëmijëri ajo e kishte parë figurën e liderëve të regjimit përmes këndvështrimit të një fëmije, me një besim të plotë ndaj sistemit të kohës.
Libri “Free” sjell historinë e një Shqipërie të izoluar politikisht, përmes kujtimeve të Ypit nga fëmijëria dhe periudha e tranzicionit pas rënies së komunizmit. Në rrëfim përfshihen edhe momente simbolike të jetës së përditshme, si historia e një kanaçeje Coca-Cola, e cila në atë kohë shihej si një simbol i rrallë i Perëndimit.
Megjithatë, vepra nuk fokusohet vetëm në kujtimet e fëmijërisë, por edhe në sfidat që solli periudha e pas-komunizmit: mbylljen e fabrikave, humbjen e vendeve të punës, ndarjet familjare dhe trazirat shoqërore të tranzicionit.
Gjatë bisedës në podcast, Dua Lipa dhe Lea Ypi trajtojnë tema si historitë familjare të pathëna, mbikëqyrja shtetërore, protestat, ndryshimet politike dhe ndikimi i sistemeve shoqërore në jetën e njerëzve.
“Free më zbuloi gjëra për një vend që e njoh dhe e dua shumë. Historia është kaq e afërt, por përvoja e jetuar ka ndryshuar kaq shumë brenda vetëm një brezi”, ka shkruar Dua Lipa.
Përzgjedhja e librit “Free” në Service95 Book Club ka rikthyer vëmendjen ndërkombëtare te një rrëfim shqiptar që përmes historisë personale ngre një pyetje universale: çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i lirë?/A.K/
