Bayraktar TB2T-AI, një dron luftarak i gjeneratës së re i pajisur me inteligjencë artificiale të avancuar dhe motor turbo, ka arritur një rekord të ri lartësie në kategorinë e vet.
Gjatë Testit të Identifikimit të Sistemit të Lartësisë dhe Testit të Performancës, droni turk arriti një lartësi prej 40.023 këmbësh (rreth 12.200 metra), duke vendosur një rekord të ri në segmentin e dronëve të kësaj klase.
Ky model i ri shquhet për aftësi më të mëdha ngjitjeje dhe qëndrueshmëri në lartësi të mëdha krahasuar me platformat aktuale. Me një shpejtësi mbi 300 km/h, TB2T-AI synon të luajë një rol kyç në ruajtjen e epërsisë ajrore.
Projektuar për të kryer misione më të gjata dhe më efikase në terrene të vështira, ky dron përfiton nga një kapacitet më i madh ngarkese dhe një peshë të shtuar në ngritje. Sistemi përfshin tre kompjuterë të inteligjencës artificiale, të cilët mundësojnë aftësi të avancuara autonome gjatë operacioneve ajrore.
Ndër risitë teknologjike të këtij modeli është edhe navigimi vizual i bazuar në terren, që lejon funksionimin e tij edhe në kushte të vështira të luftës elektronike. Në situata emergjente, sistemet e mbështetura nga inteligjenca artificiale i mundësojnë dronit të kthehet automatikisht dhe në mënyrë të sigurt në bazë.