Një gjyqtar së fundi është qëlluar për vdekje me 15 plumba kallashnikovi. Një polic u qëllua me armë, ndërsa jo rrallë herë figura nga grupe politike rivale dhe fraksione të armatosura janë vrarë gjithashtu, përcjell UBT News.
Të gjitha vrasjet ndodhën në janar dhe shkurt në një provincë irakiane, Maysan, ku trafiku i drogës, mosmarrëveshjet fisnore dhe “zgjidhjet” politike janë kombinuar në një përzierje toksike që pasqyron ndarjet më të gjera politike të vendit dhe vështirësitë për të luftuar kundër korrupsionit.
Iraku i rënduar nga lufta po përpiqet të rikuperohet nga dhuna e viteve pas vitit 2003, kur SHBA rrëzoi diktatorin Sadam Husein. Por në Maysan, dhuna është një dukuri pothuajse e përditshme ku zyrtarët e policisë dhe gjyqësorit janë rregullisht objektiva të tentativave për vrasje.
“Trafikimi i drogës dhe konfliktet fisnore janë dy shkaqet kryesore të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Maysan”, tha deputeti i pavarur Osama Karim al-Badr në kryeqytetin e provincës Amarah.
Shkurti ka qenë veçanërisht i përgjakshëm.
Së pari erdhi vrasja e oficerit të policisë, Hossam al-Aliawi.
Gjyqtari Ahmed Faisal, i specializuar në çështjet e drogës, ishte targeti tjetër për t’u vrarë. Ai ishte nisur për në shtëpi kur sulmuesit bllokuan rrugën e tij dhe hapën zjarr, tha një oficer policie për AFP-në në kushte anonimiteti.
Një muaj më parë, u vra një anëtar i shquar nga lëvizja e klerikut të fuqishëm shiit, Moqtada Sadr.
Muaj të negociatave intensive midis fraksioneve politike kanë rritur tensionet ndërsa nuk kanë arritur të formojnë një koalicion parlamentar të shumicës që do të emëronte një kryeministër të ri, për të zëvendësuar Mustafa al-Kademin.
Në të njëjtën ditë që Kademi vizitoi Maysan-in në përpjekje për të trajtuar dhunën, ndodhi një tjetër vrasje. Viktima ishte një anëtar i Saraya al-Salam, një fraksion i armatosur i lidhur me Moqtada Sadr.
“Ne kemi dy zgjedhje para nesh: Shtetin ose kaosin”.
Mustafa al-Kadem
Kademi urdhëroi një riorganizim të zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe paralajmëroi, “Ne kemi dy zgjedhje para nesh: Shtetin ose kaosin”.
Gjatë viteve të fundit, Iraku ka parë një rritje të shitjes dhe përdorimit të drogës, veçanërisht në provincat qendrore dhe jugore që kufizohen me Iranin dhe që shpesh shërbejnë si rrugë kryesore për narkotikët.
Ministria e Brendshme e Irakut thotë se Maysan ka një nga nivelet më të larta të trafikimit dhe konsumit të drogës dhe shefi provincial i Sigurimit, gjenerali Mohammed Jassem al-Zubaidi pranoi se Maysan ka shërbyer si “rrugë për trafikun e drogës”.
Forcat e tij kryejnë bastisje të përditshme dhe “çdo ditë, ne konfiskojmë armë”, i tha ai AFP-së. Forcat e sigurisë arrestuan gjithashtu dhjetëra persona brenda disa ditësh.
Por sipas aktivistit dhe gazetarit Sabah al-Silawi, përpjekjet janë penguar nga dominimi i traditave fisnore, të cilat shkojnë më thellë në Maysan se kudo tjetër.
Në një vend ku besnikëritë fisnore janë ende të rrënjosura thellë, ndërkohë që institucionet shtetërore janë dobësuar nga dekada lufte, fiset shpesh përdorin kodin e tyre të sjelljes dhe traditat për të zgjidhur konfliktet personale apo edhe përleshjet vdekjeprurëse, duke mos iu drejtuar fare autoriteteve.
“Një oficer nuk mund të kryejë detyrat e tij. Ai do të kërcënohet nga një fis”, tha Silavi. “Familja e tij do të kërcënohet – ai mund të vritet”.
Një dhunë e tillë shtrihet në pikën kufitare Al-Sheeb me Iranin, ku ka konkurrencë të ashpër midis fiseve rivale dhe fraksioneve të armatosura për kontroll, tha një oficer doganor.
“Ata mund të kërcënojnë, të vrasin punonjësit që mund të jenë të prirur për të parandaluar trafikimin e çdo lloji, qoftë të drogës apo produkteve ushqimore të skaduara” tha oficeri, i cili preferoi të mbetet anonim nga shqetësimi për sigurinë e tij.
Udhëheqësi fisnor me ndikim Karim al-Husseini iu referua kufirit në Al-Sheeb si një nga “problemet e mëdha” të provincës.
“Ka pasur shumë gjëra në pikën kufitare” tha Hussein, i cili pretendon besnikërinë e një mijë anëtarëve të klanit. Ai mbrojti atë që ai e përshkroi si “bashkëjetesë paqësore” që mbizotëron në provincë dhe hodhi poshtë kritikat ndaj fiseve.
“Kalimi kufitar, në parim, duhet të jetë një burim përfitimi për provincën e Maysan dhe për Irakun. Jo një burim mosmarrëveshjesh dhe problemesh” tha ai.
Një tjetër përbërës në këtë përzierje të dhunshme, është rivaliteti midis njerëzve me peshë të rëndë politike të Irakut, vend ky ku ndarjet politike u përshkallëzuan pas zgjedhjeve të tetorit.
Në Maysan, si kudo në Irak, fraksionet politike “luftojnë për pushtet dhe interesa ekonomike”, tha Silawi./UBTNews/