Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të Kuvendit për nismën e tyre legjislative për plotësim-ndryshimin e Ligjit të skemës pensionale, që parasheh heqjen e kushtëzimit të 15 vjetëve përvojë pune për të gëzuar pension të plotë kontributdhënës.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj duke e quajtur ligjin aktual si diskriminues tha se qytetarët e Kosovës që kanë kontribuar me vite nuk po e gëzojnë pensionin e plotë.
“Është një ligj diskriminues, një ligj i cili qytetarët e vendit që kanë kontribuar me vite nuk e gëzojnë më të drejtën që të shkojnë kontributet e tyre në pension meritor. E themi këtë për shkak se neni 8, pika 2 e këtij ligji sanksionon në mënyrë të prerë që kush nuk posedon 15 vite deri më 1 janar 1999 nuk e gëzon të drejtën e pensionit të plotë kontributdhënës. Ky nen duhet të largohet me urgjencë për shkak se nga viti i kaluar asnjë punëtorë i Kosovës nuk shkon në pension kontributdhënës qoftë për 1 ditë apo 1 javë që nuk e plotëson 15 vjetshin. E themi me qëllim që të bëjmë apel tek të gjithë deputetët qofshin të pozitës apo opozitës që të mbështesin këtë ligj për të mirën e vendit në këto ditë të vështira të krizës”, u shpreh ai.
Kjo nismë legjislative e cila është iniciuar nga AAK, siç tha Dreshaj, kërkon mbështetjen me qëllim që të largohet kjo padrejtësi që po u bëhet qytetarëve në Kosovë.
“Kjo nismë legjislative e nisur nga deputetët e AAK-së e cila është bërë më datën 13.05.2022 të gëzojë mbështetjen e komplet Parlamentit me qëllim që kjo padrejtësi e bërë të largohet njëherë e përgjithmonë“, theksoi Dreshaj.